Telegrafi

Zelensky thotë se “miliona njerëz mund të vdesin nga uria”, nëse Rusia vazhdon me bllokimin e porteve detare

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se miliona njerëz në mbarë botën mund të vdesin nga uria, nëse Rusia nuk lejon Ukrainën të eksportojë grurin e saj nga portet detare.

“Nuk mund ta eksportojmë grurin, misrin, vajin e misrit dhe lulediellit, si dhe produktet tjera që luajnë rol kyç në stabilizimin e tregut global”, tha ndër tjera Zelensky gjatë një interviste dhënë për Time, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Ukraina akuzon Rusinë për vjedhjen e 600 mijë tonë grurë

“Për fat të keq kjo do të thotë se dhjetëra vende mund të përballen me mungesë të ushqimit. Miliona njerëz mund të vdesin nga uria, nëse vazhdon bllokada ruse në Detin e Zi”, shtoi Zelensky.

Ndryshe liderët botërorë kanë dënuar bllokadën tremujore të porteve kyçe të Ukrainës nga ana e forcave ruse – përfshirë atë në Mariupol në Detin Azov dhe Odesa në Detin e Zi, ku mbi 20 milionë tonë grurë kanë mbetur brenda vendit – në pamundësi për t’u shpërndarë nëpër botë. /Telegrafi/