Site icon Telegrafi

Zelensky thotë se Irani po gënjen për sasinë e furnizimit me dronë në Rusi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e quajti gënjeshtër pretendimin e Iranit për dërgimin e një numri “të kufizuar” dronësh në Rusi në fjalimin e tij të natës të shtunën.

Ai gjithashtu kundërshtoi afatin kohor të paraqitur nga Teherani, transmeton Telegrafi.

“Sot ka pasur mesazhe nga Irani, nga përfaqësues zyrtarë. Ata vendosën ta pranojnë se kanë furnizuar me dronë për terrorin rus. Por edhe këtu ata gënjyen”, tha Zelensky.

“Ne rrëzojmë të paktën 10 dronë iranianë çdo ditë dhe regjimi iranian pretendon se gjoja ka dhënë më pak – edhe para fillimit të pushimit në shkallë të plotë”.

Zelensky tha se nëse “Irani vazhdon të gënjejë për të dukshmen”, do të bëhen edhe më shumë përpjekje për të hetuar “bashkëpunimin terrorist midis regjimit rus dhe iranian dhe atë që Rusia po i paguan Iranit për një bashkëpunim të tillë”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian tha gjatë një konference për shtyp të shtunën se Teherani kishte siguruar një numër të kufizuar të armëve përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën.

“Disa vende perëndimore e kanë akuzuar Iranin se po ndihmon luftën në Ukrainë duke ofruar dronë dhe raketa Rusisë”, tha Amirabdollahian. “Pjesa në lidhje me raketat është krejtësisht e gabuar. Pjesa për dronët është e saktë, ne i siguruam Rusisë një numër të kufizuar dronësh në muajt para fillimit të luftës në Ukrainë”. /Telegrafi/

Exit mobile version