Ukraina tani është në gjendje t’u shkaktojë “humbje të konsiderueshme” rusëve, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa zyrtarë të tjerë ukrainas thanë se një fluks i armëve perëndimore po ndryshon “lojën në fushën e betejës”.
Në mesazhin e tij të përditshëm me video të hënën, Zelensky tha se forcat ukrainase janë “në gjendje të shkaktojnë humbje të konsiderueshme logjistike mbi pushtuesit”.
“Është gjithnjë e më e vështirë për ushtrinë ruse të mbajë pozicione në territorin e pushtuar”, citohet të ketë thënë ai, përcjell Telegrafi.
“Hap pas hapi avancojmë, prishim furnizimin e pushtuesve dhe identifikojmë dhe neutralizojmë bashkëpunëtorët”.
Ndërsa Valeriy Zaluzhniy, komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, tha se “ardhja në kohë” e artilerisë me rreze më të gjatë si sistemi amerikan HIMARS po ndihmonte për të ndryshuar “lojën në fushën e betejës”.
“Kemi arritur të stabilizojmë situatën. Është komplekse, intensive, por plotësisht e kontrolluar. Një faktor i rëndësishëm që kontribuon në mbajtjen e linjave dhe pozicioneve tona mbrojtëse është mbërritja në kohë e M142 HIMARS, e cila kryen goditje në pikat e kontrollit të armikut, municionet dhe depot e magazinimit të karburanteve”, tha Zaluzhniy.
CNN shkruan se ka identifikuar gati 20 sulme shumë prapa linjave ruse, në rajonet Donetsk, Luhansk, Mykolaiv dhe Kherson, deri më tani këtë muaj – disa prej tyre kanë shkaktuar shpërthime të mëdha dhe të shumta.
Veç këtyre, Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, i tha televizionit ukrainas se “sot, ne kemi vërtet një situatë krejtësisht të ndryshme nga ajo që ishte një muaj më parë”.
“Tani, falë faktit që marrim armë të mjaftueshme nga partnerët tanë, ne kemi vendosur një barazi të caktuar në pozicione të caktuara”.
Danilov tha se Ukraina do të donte më shumë armë në të ardhmen për ta kthyer ekuilibrin në favor të saj “në mënyrë që të kemi sa më shumë aftësi të jetë e mundur për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur”.
Duke folur për situatën në Donbas, Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, theksoi të hënën se “armët perëndimore nuk funksionojnë në 100%, por në 200%, sepse magazinat [ruse] janë hedhur në erë”. /Telegrafi/