Presidenti amerikan Joe Biden ka kundërshtuar komentet e homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, lidhur me rënien e raketave në Poloni, ku tha se nuk ishin me origjinë ukrainase.
Zelensky mbrëmë tha se “nuk ka dyshim” se raketat që shkaktuan shpërthimin në Poloni “nuk ishin ukrainase”, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se Ukraina duhet “të ketë qasje” në vendin ku ndodhi shpërthimi, ku si pasojë humbën jetën dy persona dhe katër tjerë u lënduan.
Megjithatë, pak orë më herët presidenti polak Andrzej Duda, tha se raketat që kishin rënë në territorin e vendit të tij, me gjasë “ishin shkrepur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës”.
Duke folur para gazetarëve, Duda tha se Polonia akoma po analizon mundësinë e aktivizimit të Nenit 4 të NATO-s, por duket se nuk do të jetë e nevojshme përdorimi i një mase të tillë.
E pavarësisht komenteve të Zelensky, presidenti amerikan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “këto nuk janë prova”, duke i kundërshtuar pretendimet e homologut ukrainas. /Telegrafi/