Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky planifikon të udhëtojë të premten drejt Uashingtonit për t’u takuar me homologun amerikan, Donald Trump, sipas një burimi nga qeveria ukrainase.
Burimi tha se data për takimin ballë për ballë është propozuar nga pala amerikane, shkruan skynews.
Kjo vjen pasi mediumi britanik raportoi se Ukraina ka rënë dakord me SHBA-në për një marrëveshje të rëndësishme mbi mineralet.
Marrëveshja përcakton kushtet për krijimin e një fondi të ri për të investuar në mineralet e Ukrainës, materialet e rralla tokësore dhe burime të tjera natyrore të vlefshme.
Ajo nuk përfshin më një kërkesë fillestare nga Shtetet e Bashkuara për të drejtën mbi 500 miliardë dollarë nga të ardhurat e mundshme nga këto burime.
Ndryshe, Ukraina raportohet se posedon miliona tonë grafit, i cili përdoret për të prodhuar bateri për automjetet elektrike.
Dhe Ukraina ka gjithashtu një të tretën e të gjitha depozitave evropiane të litiumit, komponenti kryesor në bateritë aktuale, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se përpara agresionit rus, pjesa globale e Ukrainës në prodhimin e titanit, një metal i lehtë i përdorur në ndërtimin e gjithçkaje, nga aeroplanët deri te termocentralet, ishte 7 për qind. /Telegrafi/