Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ndodhet në Stamboll ku u takua mbrëmë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Në fokus ishin disa tema, ndër të tjera edhe çështja e pozitës së robërve të luftës.
Lideri i Ukrainës tha në një konferencë të përbashkët për shtyp se të burgosurit e luftës, së bashku me të burgosurit politikë dhe fëmijët e dëbuar, ishin një “temë kyçe” e bisedimeve me Erdogan.
“Për mua dhe për presidentin Erdogan, jetët njerëzore janë prioritet”, tha Zelensky dhe shtoi se kanë një listë të njerëzve dhe po punojnë në mënyrë aktive për këtë çështje.
Ukrayna Devlet Başkanı Volodimir Zelenski ile Ortak Basın Toplantısı https://t.co/eFIg4Inm52
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) July 7, 2023
Erdogan tha se do të përpiqet të bind liderin rus për disa çështje në lidhje me Ukrainën.
“Veçanërisht për shkëmbimin e të burgosurve, ne dëgjuam Ukrainën. Ne dëgjojmë edhe Rusinë. Kam folur me Putinin”, tha Erdogan, duke thënë se këtë çështje do ta diskutojë me Putinin gjatë muajit gusht kur lideri rus do ta vizitojë Turqinë.
Turqia ka mbështetur ofertën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n dhe të dy udhëheqësit presin që Ukraina të jetë në krye të agjendës në takimin e NATO-s në Vilnius.
Udhëheqësit e Ukrainës dhe Turqisë thanë gjithashtu se po punonin për të zgjatur marrëveshjen për drithërat e Detit të Zi, e cila skadon në këtë muaj. /Telegrafi/