Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se vendi i tij i mbajti aleatët e tij “në errësirë” për planet e tij për të sulmuar rajonin e Kurskut të Rusisë, sepse ata “do të kishin thënë se ishte jorealiste”.
“Kjo është arsyeja pse askush nuk ishte informuar për përgatitjet tona”, u tha Zelenskyy krerëve të misioneve të huaja diplomatike të Ukrainës në një fjalim të mbajtur të hënën, sipas një përkthimi nga media ukrainase Pravda, përcjell Telegrafi.
“Tani suksesi i vërtetë flet vetë: veprimet tona aktive mbrojtëse në anën tjetër të kufirit dhe paaftësia e (Vladimir) Putinit për të mbrojtur territorin e tij nga veprimet tona mbrojtëse të këtij lloji janë shumë të dukshme”, vazhdoi ai.
Siç vënë në pah mediat, aleatët e Ukrainës nuk ishin të vetmit që nuk dinin për sulmin.
“Pushtimi” i planifikuar u mbajt aq mirë i fshehtë sa që edhe vetë ushtarët e Ukrainës nuk u informuan deri në minutën e fundit.
Forcat ruse u kapën në befasi kur Ukraina ndërmori një ofensivë shokuese në rajonin e Kurskut më 6 gusht.
Sulmi i befasishëm rezultoi në përfitime të rëndësishme për Ukrainën në fushën e betejës.
Oleksandr Syrskyi, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës, tha javën e kaluar se Ukraina kishte “kapur” rreth 400 milje katrorë të territorit rus në vetëm pak ditë. Kjo është afër sasisë së territorit ukrainas që “u kap” nga rusët këtë vit.
“Kur mbrojtësit tanë ukrainas veprojnë kështu, me vendosmëri dhe guxim, dhe kur operacioni është me të vërtetë i përgatitur mirë, Putini nuk ka zgjidhje tjetër. Dhe tani bota e sheh se është realiste, se me të vërtetë funksionon”, tha Zelensky të hënën, sipas Pravda. /Telegrafi/