Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar kreun e agjencisë përgjegjëse për mbrojtjen e tij pasi dy oficerët e saj u arrestuan nën dyshimet për atentat kundër tij.
Bëhet e ditur se shkarkimi i Serhii Rud të Gardës Shtetërore (UDO) është zbuluar në një dekret në faqen presidenciale të Ukrainës, ndërsa një zëvendësim i tij ende nuk është bërë.
Siç raportohet, UDO ka për detyrë të garantojë sigurinë e presidentit ukrainas dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, si dhe mbrojtjen e ndërtesave administrative.
Ndryshe, në fillim të kësaj jave doli se Ukraina ka arrestuar dy zyrtarë që dyshohet se ishin të përfshirë në komplotin rus për vrasjen e Zelenskyt, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Zyra e prokurorit tha se njëri nga të dyshuarit është pajisur me dronë dhe municione nga shërbimi i sigurisë shtetërore ruse (FSB), të cilat synonin t’i dërgonin te një bashkëpunëtor tjetër për ta kryer shpërthimin.
Të dy kolonelët tani po akuzohen për tradhti; njëri po akuzohet edhe për përgatitje të një akti terrorist.
Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Kievit (SBU) tha se planet për të vrarë presidentin dhe zyrtarë të tjerë “kanë dështuar”, duke përfshirë planet për vrasjen e kreut të SBU-së, Vasyl Maliuk dhe kreun e inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës, Kyrylo Budanov.
Zelensky thuhet se disa herë është përballur me atentate që kur Rusia ka filluar pushtimin e saj në shkallë të plotë në Ukrainë. /Telegrafi/