Site icon Telegrafi

Zelensky shkarkoi ambasadorin ukrainas në Mbretëri të Bashkuar – kush ishte Vadym Prystaiko?

Vadym Prystaiko si ambasador i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar ka pasur vlerësime të ndryshme kohët e fundit për presidentin e vendit të tij, Volodymyr Zelensky ndërsa gjatë gjithë kohës ka qenë urë lidhëse mes ukrainasve dhe qeverisë britanike.

Por, pas një periudhe trevjeçare në këtë punë, sot u shkarkua prej presidentit të Ukrainës, raporton skynews.

Ai u emërua si ambasador në Londër në korrik të vitit 2020, pas më shumë se dy dekadash pune në politikën e jashtme të Ukrainës.

I lindur në rajonin e Odesës në vitin 1970, Prystaiko vazhdoi të studiojë shkenca kompjuterike dhe për tregti ndërkombëtare në universitetet kryesore të Ukrainës.

Në fillim të viteve ’90, ai pati një rol në ngritjen e “Electronni Visti”, një nga ofruesit e parë të internetit në Ukrainë.

Pas largimit nga kompania, ai iu bashkua ministrisë së tregtisë ndërkombëtare të Ukrainës së sapo pavarësuar nga Bashkimi Sovjetik, përpara se të bashkohej me ministrinë e jashtme në vitin 1997.

Lexo po ashtu Zelensky papritmas shkarkon ambasadorin ukrainas në Britani

Ai punoi në disa nga ambasadat dhe konsullatat ukrainase në mbarë botën, duke përfshirë në Australi dhe Kanada, madje duke shërbyer si zëvendës ambasador në SHBA në mandatin e parë të presidentit, Barack Obama.

Ai u bë kreu i misionit të Ukrainës për NATO-n në vitin 2017, përpara se të bëhej zëvendëskryeministri i parë për marrëdhëniet evropiane dy vjet më vonë.

Gjatë ditëve të para të Volodymyr Zelenskyt si president, Prystaiko shërbeu si këshilltar për politikën e jashtme, si dhe zëvendës shef i stafit. /Telegrafi/

Exit mobile version