Telegrafi

Zelensky: Së shpejti do të nisim kundërofensivën ndaj rusëve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi sot se Kievi së shpejti do të nisë një kundërofensivë kundër forcave ruse.

Ai është i bindur se pas kësaj Perëndimi do ta furnizojë ushtrinë ukrainase me aeroplanë luftarakë modern.

Në një konferencë për shtyp në Finlandë, anëtari më i ri i NATO-s, Zelensky tha se një nga arsyet pse erdhi në atë vend është se Ukraina dëshiron të bëhet anëtare e plotë e asaj aleance ushtarake.

Zëdhënësi i presidentit ukrainas tha se bisedimet e Zelenskyt me udhëheqësit nordik në Finlandë sot do të fokusohen në forcimin e aftësive ushtarake të Kievit dhe kërkimin e hapave konkrete për ta sjellë Ukrainën më afër anëtarësimit në NATO.

Në deklaratën e qeverisë suedeze thuhet se temat e samitit janë lufta e Rusisë kundër Ukrainës, mbështetja e vazhdueshme e vendeve nordike për Ukrainën, marrëdhëniet e Ukrainës me BE-në dhe NATO-n dhe “iniciativa ukrainase për paqe”, raporton Reuters.

Zelensky do të takohet me presidentin finlandez, Sauli Niinista, si dhe me kryeministrat e Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Islandës. /Telegrafi/