Rusët po planifikojnë të sulmojnë hidrocentralin Kakhovka, tha presidenti ukrainas gjatë fjalimit të natës.
Volodymyr Zelensky i bëri thirrje botës që të lëvizë shpejt për të parandaluar një fatkeqësi.
“Sipas informacioneve tona, agregatet dhe diga e HEC-it Kakhovka janë minuar nga terroristët rusë”, tha ai.
“Tani të gjithë në botë duhet të veprojnë fuqishëm dhe shpejt për të parandaluar një sulm të ri terrorist rus. Shkatërrimi i digës do të nënkuptonte një katastrofë në shkallë të gjerë”, deklaroi i pari i shtetit ukrainas.
Ai shtoi se “tani duhet të gjithë së bashku – të gjithë evropianët, të gjithë liderët botërorë, të gjitha organizatat ndërkombëtare – t’ia bëjmë të qartë shtetit terrorist se një sulm i tillë terrorist në HEC-in Kakhovka do të thotë saktësisht njësoj si përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë”.
Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Zvicrës që të mos qëndrojë neutrale në konflikt, pas bisedimeve me presidentin e Zvicrës, i cili arriti sot në Kiev.
“Ne diskutuam gjithashtu çështjen e kompensimit për dëmet e shkaktuara në Ukrainë nga terrori rus. Jam mirënjohës që asetet ruse me vlerë 6.5 miliardë dollarë tashmë janë ngrirë. Kjo punë duhet të vazhdojë. Dhe kjo është diçka në të cilën edhe Zvicra nuk duhet të qëndrojë moralisht neutrale. Mundësitë e Zvicrës për të ndihmuar me dixhitalizimin në Ukrainë dhe restaurimin e sistemeve të telekomunikacionit në territoret e çliruara u diskutuan veçmas dhe në mënyrë thelbësore”. /Telegrafi/