Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia ka ende mjaft raketa për disa sulme të tilla masive, siç ishte rasti i 16 dhjetorit.
“Ne kemi mjaft vendosmëri dhe vetëbesim për të kthyer tonat pas këtyre goditjeve”, u shpreh Zelensky në adresimin e tij të mbrëmjes, transmeton Telegrafi.
“Pavarësisht se çfarë po llogarisin fanatikët e raketave nga Moska, kjo ende nuk do të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në këtë luftë”, shtoi ai.
Ai kujtoi se 60 nga 76 raketat u rrëzuan. “Por, për fat të keq, ka goditje. Terroristët kanë nevojë për një masë të tillë sulmesh me raketa që të paktën një pjesë e “produkteve” të tyre të arrijnë objektivat e synuara. Të gjitha objektivat e tyre sot janë civilë, dhe këto janë kryesisht objekte të furnizimit me energji dhe ngrohje”, u shpreh Zelensky.
“Ndoshta, si rezultat i kësaj lufte, kuptimi i fjalës ‘terror’ për shumicën e njerëzve në botë do të lidhet kryesisht me veprime të tilla të çmendura të Rusisë”.
Më 16 dhjetor, Rusia kreu sulmin e 9-të masiv në infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Gjysma e konsumatorëve kanë mbetur pa energji elektrike. /Telegrafi/