Site icon Telegrafi

Zelensky: Rebelimi i armatosur i Wagner tregoi kaosin e  plotë në Rusi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij mbrëmë se rebelimi i Wagnerit tregoi “kaosin total” në Rusi.

“Sot bota pa që liderët rusë nuk kontrollojnë asgjë. Është kaos i plotë. Mungesa e plotë e çdo parashikueshmërie në territorin rus të mbushur me armë”, vuri në dukje lideri ukrainas.

Ai tha se sa më gjatë të qëndrojnë forcat ruse në tokën ukrainase, aq më shumë shkatërrim do të ndjejë Rusia, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Ukrainasit hedhin në erë tri tanke ruse, i godasin me dronë kamikaz

“Sa më gjatë të jetë ai person në Kremlin, aq më katastrofik do të jetë”, theksoi Zelensky, duke iu referuar diktatorit rus Vladimir Putin.

Presidenti ukrainas përsëri i bëri thirrje Perëndimit që të furnizojë vendin e tij me aeroplanë luftarakë F-16 dhe raketa me rreze të gjatë, për të mbrojtur krahun lindor të Evropës kundër forcave ruse.

Kujtojmë se lideri i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, nisi rebelimin e tij pasi deklaroi të premten se një sulm me raketa nga forcat ruse ndaj mercenarëve të tij në Ukrainë, kishte shkaktuar viktima të konsiderueshme.

Lexo po ashtu Dëshironin të parandalonin kolonën e luftëtarëve të Wagnerit drejt Moskës, momenti kur hidhet në erë një urë

Megjithatë, rebelimi përfundoi mbrëmë. Prigozhin njoftoi në Telegram se mercenarët do të ndalonin marshimin e tyre në Moskë dhe do të tërhiqeshin në kampet ushtarake.

Shërbimi për shtyp i Lukashenkos njoftoi se presidenti bjellorus arriti të bindë Prigozhin të merrte një vendim të tillë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se Prigozhin do të transferohet në Bjellorusi, ndërsa çështja kundër tij do të pushohet. /Telegrafi/

 

Exit mobile version