Rusia kreu një sulm me dron kamikaz në shkallë të gjerë natën e 18-19 marsit, duke goditur infrastrukturën civile në disa rajone të Ukrainës.
Në veçanti, janë regjistruar goditje direkte në një spital në qytetin Sumy, dhe goditje në qytete në rajonin e Donetskut, transmeton Telegrafi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se rreth 40 dronë rusë ishin zbuluar në qiellin e Ukrainës, disa prej të cilëve arritën objektivat e tyre.
“Fatkeqësisht, ka pasur goditje, veçanërisht në infrastrukturën civile. Një goditje e drejtpërdrejtë nga një dron Shahed në një spital në Sumy, sulme në qytete në rajonin e Donetsk, Kiev, Zhytomyr, Sumy, Chernihiv, Poltava, Kharkiv, Kirovohrad, Dnipropetrovsk Oblast dhe Cherka”, tha presidenti ukrainas.
“Janë këto lloj sulmesh gjatë natës nga Rusia që shkatërrojnë sektorin tonë energjetik, infrastrukturën tonë dhe jetën normale të ukrainasve. Dhe fakti që kjo natë nuk bën përjashtim tregon se presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë për hir të paqes”, shtoi Zelensky.
Ai theksoi se veprime të tilla të kryera nga Kremlini janë një përgjigje ndaj nismave ndërkombëtare të paqes, dhe demonstrojnë mosgatishmërinë e Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
“Sot, Putini refuzoi në mënyrë efektive propozimin për një armëpushim të plotë”, theksoi Zelensky.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i përgjigjet sulmeve ruse me sanksione të reja, rritjen e ndihmës ushtarake dhe forcimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. /Telegrafi/