Përpara vizitës së tij në Manila, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia po përdor diplomatët kinezë për t’i bindur vendet që të marrin pjesë në samitin e ardhshëm të paqes në Zvicër.
Bëhet e ditur se Volodymyr Zelensky udhëtoi për në Filipine për t’u kërkuar liderëve rajonalë që të marrin pjesë në një samit të ardhshëm të paqes globale të organizuar nga Zvicra.
Duke mbërritur pa paralajmërim dhe nën masa të rrepta sigurie në Manila, Zelensky u mirëprit në tapetin e kuq në pallatin presidencial përpara se të takohej me homologun e tij filipinas, Ferdinand Marcos Jr.
Presidenti ukrainas falënderoi Marcos që pranoi të marrë pjesë në samitin e paqes, i cili do të zhvillohet në Zvicër më 15-16 qershor, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Jam i lumtur të dëgjoj sot nga ju se do të merrni pjesë në hapat tanë drejt paqes”, i tha Zelensky Marcos.
Por, mbetet e paqartë nëse lideri filipinas do të marrë pjesë personalisht në samit apo do të dërgojë një përfaqësues.
Siç raportohet, përpara mbërritjes së tij në Filipine, Zelensky akuzoi Rusinë për përdorimin e ndikimit kinez në rajon për të “shkatërruar” samitin e ardhshëm duke u bërë presion vendeve të tjera dhe liderëve të tyre që të mos marrin pjesë.
“Rusia, duke përdorur ndikimin kinez në rajon, duke përdorur edhe diplomatët kinezë, bën gjithçka për të prishur samitin e paqes”, tha ai pa dhënë detaje.
“Është për të ardhur keq që një vend kaq i madh i pavarur i fuqishëm si Kina është një instrument në duart e Vladimir Putinit”.
Ndryshe, vizita e Zelenskyt në Azi është e dyta që kur Rusia nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022.
Komentet e tij kundër Kinës tregojnë se Kievi po merr një qasje më agresive ndaj Pekinit.