Telegrafi

Zelensky: Po vazhdojmë fushatën për të rimarrë zonën në juglindje të vendit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se trupat ukrainase vazhduan të dielën me fushatën e tyre për të rimarrë territorin në juglindje të vendit të kontrolluar nga Rusia.

Zelensky përsëriti se ai “kurrë” nuk do të pranonte t’i lëshonte ndonjë territor pushtuesve rusë, duke përfshirë gadishullin e Krimesë të aneksuar ilegalisht, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu nuk e kundërshtoi një raport të Washington Post se zyrtarët ukrainas i thanë drejtorit të CIA-s, William Burns, gjatë një udhëtimi të fundit në Kiev se qëllimi i kundërofensive ishte të afrohej me kufirin e Krimesë, dhe më pas të detyronte presidentin rus Vladimir Putin të negocionte.

Kur u pyet nëse ishte “e realizueshme”, Zelensky tha se ishte shumë e mundur.

“Është një retorikë logjike që në momentin që Ukraina arrin kufirin administrativ me gadishullin ukrainas të okupuar përkohësisht, Krimenë, ka shumë të ngjarë që Putini të detyrohet të kërkojë dialog me botën e qytetëruar, ndryshe nga ç’ishte para luftës gjithëpërfshirëse, sepse ai do të dobësohet”, tha Zelensky në një intervistë në rrjetin televiziv amerikan ABC përpara samitit të NATO-s të kësaj jave në Lituani.

Kujtojmë se presidenti amerikan Joe Biden i tha Zelenskyt në publik se do të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa të duhet”, dhe javën e kaluar ai premtoi ndihmë shtesë, duke përfshirë dërgimin e municioneve të diskutueshme.

Ish-zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence vizitoi Kievin më 29 qershor dhe shprehu gjithashtu mbështetjen e tij të palëkundur për Ukrainën. /Telegrafi.