Site icon Telegrafi

Zelensky: Po kthehem me rezultate të mira nga SHBA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se u largua nga Shtetet e Bashkuara me rezultate të mira.

“Ne po kthehemi nga Uashingtoni me rezultate të mira”, ka thënë Zelensky në një deklaratë të lëshuar të enjten pas përfundimit të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, përcjell Telegrafi.

Në lidhje me sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, ai shtoi: “Ky problem është zgjidhur për Ukrainën”.

Ai ka shtuar se “ka edhe mbështetje financiare dhe marrëveshje të tjera për të cilat do të flasim më vonë”.

Zelensky ka falënderuar presidentin Joe Biden për ndihmën e tij, për lidershipin e treguar, si dhe për vendosmërinë e tij për të fituar.

“Falë Kongresit të Shteteve të Bashkuara – të dy dhomave, të dyja palët dhe të gjithë ata që mbështesin Ukrainën, të gjithë ata që duan fitoren ashtu si të gjithë ne. Do të ketë fitore!”, ka thënë më tej Zelensky.

Ndryshe, pas vizitës në vijën e frontit në Ukrainën lindore të martën, udhëtimi i Zelensky për në Uashington DC filloi me një udhëtim nate me tren për në Poloni përpara se të hipte në një aeroplan të Forcave Ajrore të SHBA-së, i mbështetur nga një aeroplan spiun i NATO-s dhe një aeroplan luftarak F-15.

Presidenti i Ukrainës gjatë një konference të përbashkët me presidentin amerikan, Joe Biden – që në fillim – ka falënderuar popullin e Amerikës që “bënë kaq shumë për Ukrainën”.

Më pas ai falënderoi SHBA-në për sistemin e mbrojtjes raketore Patriot, të cilin e përshkroi si një “hap shumë të rëndësishëm” dhe i cili sipas tij “do të forcojë ndjeshëm mbrojtjen ajrore” të vendit të tij, përcjell Telegrafi.

Ai gjithashtu mbajti një fjalim të fuqishëm në Kongresin amerikan, në të cilin u zotua se vendi i tij nuk do të hiqte dorë kurrë nga rezistenca e tij ndaj agresionit rus, duke shtuar se mbështetja e vazhdueshme e Uashingtonit ishte çelësi për fitoren përfundimtare.

Zelensky u përshëndet nga turma e ngritur në këmbë kur shkoi për të folur i veshur me pantallonat e tij gjelbra dhe këmishën e stilit ushtarak.

Ndërsa pas fjalimit tejet emocionues të presidentit ukrainas në Kongresin amerikan, kanë pasuar duartrokitjet që zgjatën mbi një minutë.

Kamerat kanë regjistruar momentin kur dikush fillon të brohoris “Slava Ukraini” – përshëndetje që ukrainasit e përdorin shpesh që nga fillimi i agresionit rus.

Presidenti ukrainas u largua nga vendi i tij për herë të parë që kur Rusia filloi pushtimin e vendit të tij 300 ditë më parë, për t’i bërë një apel të drejtpërdrejtë Kongresit për vazhdimin e ndihmës ushtarake mes shqetësimeve se udhëheqja e ardhshme republikane e Dhomës së Përfaqësuesve, mund të kundërshtojë propozimet për një shtesë prej 45 miliardë dollarësh në armë. /Telegrafi/

Exit mobile version