Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua pjesëmarrësve të Forumit të Dohas në Katar nga kryeqyteti Kiev, i cili është nën sulme të vazhdueshme nga ushtria ruse.
“Shkëlqesia juaj, pjesëmarrës të Forumit të Dohas, zonja dhe zotërinj, dëshiroj t’ju drejtohem me fjalët tradicionale të rajonit të Gjirit – ‘Esselamu alejkum’, që do të thotë paqe për ju. Paqja është një vlerë themelore që bashkon të gjithë njerëzit e botës dhe që nuk është e disponueshme për njerëzit e vendit tim, sepse udhëheqja e Federatës Ruse vendosi të pushtojë Ukrainën dhe ta bëjë atë koloni të saj”, tha Zelensky, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, sipas Anadoly Agency, presidenti ukrainas mbajti një fjalim surprizë video në konferencën ndërkombëtare të Forumit të Dohas të shtunën, duke bërë thirrje për më shumë përpjekje për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë ndaj vendit të tij.
“Rusia po mburret qëllimisht se mund të shkatërrojë me armë bërthamore, jo vetëm një vend të caktuar, por të gjithë planetin”, ka thënë Zelensky, përcjell Telegrafi.
“Ne duhet të sigurojmë që ky muaj i shenjtë i Ramazanit të mos errësohet nga mjerimi i njerëzve në Ukrainë”, citohet të ketë shtuar ai, duke iu referuar muajit të agjërimit të myslimanëve që do të fillojë javën e ardhshme.
Udhëheqësi ukrainas u bëri thirrje gjithashtu vendeve prodhuese të energjisë që të rrisin prodhimin në mënyrë që Rusia të mos mund të përdorë pasurinë e saj të naftës dhe gazit për të “shantazhuar” kombet e tjera.
“E ardhmja e Evropës varet nga përpjekjet tuaja”, theksoi Zelensky. “Unë ju kërkoj të rrisni prodhimin tuaj të energjisë për të siguruar që të gjithë në Rusi të kuptojnë se asnjë vend nuk mund të përdorë energjinë si armë për të shantazhuar botën”.
Edicioni i 20-të i Forumit të Dohas filloi të shtunën në kryeqytetin e Katarit. Programi dyditor ndiqet nga folës të shquar, duke përfshirë politikëbërës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, liderë biznesi, zyrtarë dhe jo vetëm.
Duke iu drejtuar seancës hapëse, Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani tha se agresioni rus kundër Ukrainës ka treguar përtej çdo dyshimi “se formulat mbi të cilat u bazua rendi ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore – dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë po ndryshon”.
Rusia e filloi agresionin e saj më 24 shkurt, veprim që është pritur me zemërim ndërkombëtar, me BE-në, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, ndër të tjera, duke zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Të paktën 1,081 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 1,707 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa theksohet se shifra e vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë.
Veç kësaj, më shumë se 3.7 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, me mbi 6.5 milionë të zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët. /Telegrafi/