Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se arkitektura efektive e sigurisë globale në botë duhet të sigurojë që asnjë shtet nuk mund të përdorë më terrorin kundër një tjetri.
Ai, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tha se kohët e fundit, informacionet për situata konflikti në rajone të ndryshme të botës po shfaqen gjithnjë e më shumë në botë.
“Së pari – Ballkani, pastaj – Tajvani, tani mund të jetë Kaukazi… Të gjitha këto situata duken të ndryshme, megjithëse i bashkon një faktor, domethënë: arkitektura globale e sigurisë nuk funksionoi. Nëse do të funksiononte, nuk do të ishin të gjitha këto konflikte”, citohet të ketë thënë Zelensky në një deklaratë.
Ukraina, sipas tij, i ka kushtuar vëmendje kësaj që nga viti 2014, kur Rusia injoroi ligjin ndërkombëtar duke pushtuar një pjesë të Donbasit dhe duke aneksuar Krimenë.
“Kjo është arsyeja pse ukrainasit tani po bëjnë një gjë shumë të rëndësishme për të gjithë në botë. Populli ynë e bashkoi botën e lirë jo vetëm rreth luftës së tyre për liri, por rreth të kuptuarit se sa e brishtë është liria jonë. Liria e çdo kombi në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës”.
Dhe Zelensky mendon se kjo brishtësi mund të mbrohet vetëm me veprim të përbashkët në mbarë botën. /Telegrafi/