Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se hezitimi i Perëndimit për ndihmën ndaj Ukrainës po inkurajon Rusinë – komente që ai bëri gjatë një vizite në Lituani, teksa nisi një turne të paparalajmëruar më parë në tri shtete baltike.
Të mërkurën, Zelensky i tha homologut të tij lituanez se Ukraina duhet të forcojë mbrojtjen e saj ajrore dhe të plotësojë furnizimet e saj me municion ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj me raketa dhe dron në luftën e saj gati dyvjeçare kundër Ukrainës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ne kemi dëshmuar se Rusia mund të ndalet, se parandalimi është i mundur”, citohet të ketë thënë ai pas bisedimeve me presidentin lituanez Gitanas Nauseda.
“Ndonjëherë, pasiguria e partnerëve në lidhje me ndihmën financiare dhe ushtarake për Ukrainën vetëm rrit guximin dhe forcën e Rusisë”, ka shtuar ai.
“Ai [Presidenti rus Vladimir Putin] nuk do ta përfundojë këtë [luftë] derisa ne të gjithë ta përfundojmë atë së bashku”, ka thënë më tej Zelensky, duke shtuar, “Lituania, Letonia, Estonia, Moldavia mund të jenë të radhës”.
“Lithuania, Latvia, Estonia, Moldova may be next. And it is certain if we do not withstand. We have heard recently that they have started talking about Finland, they have started talking about the independence of Uzbekistan, and so on. He [Putin] will not finish this until we… pic.twitter.com/dQbqihEsbv
— Anton Gerashchenko (@Gerashchenko_en) January 10, 2024
Udhëheqësi ukrainas falënderoi gjithashtu Lituaninë për ndihmën e saj ushtarake dhe vullnetin e mirë.
“Ne e dimë se sa e lodhshme është kjo luftë e gjatë dhe ne jemi të interesuar për fitoren e plotë të Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur”, u tha Nauseda gazetarëve.
Ndërsa në Estoni, kryeministrja Kaja Kallas përsëriti mbështetjen e vendit për Ukrainën.
“Këto janë momente vendimtare dhe ne duhet të mbajmë fokusin tonë”, ka thënë ajo.
Vendet në Detin Baltik janë ndër mbështetësit më të vendosur politikë, financiarë dhe ushtarakë të Ukrainës.
Vizita e Zelenskyt vjen pak para se të bëhen dy vjet që nga fillimi i agresionit të plotë të Rusisë në Ukrainë. /Telegrafi/