Presidentit i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në samitin e G20 në Bali ka paraqitur një plan të paqes prej 10 pikash për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përkatësisht për paqen me Rusinë.
Ai tha gjithashtu se nuk do të kishte marrëveshje “Minsk 3” për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë, përcjell Telegrafi.
Marrëveshjet e Minskut ishin një seri marrëveshjesh ndërkombëtare që kërkonin t’i jepnin fund luftës së Donbasit dhe deklarata e tij i referohet dy marrëveshjeve të dështuara të armëpushimit midis Kievit dhe Moskës për statusin e rajonit.
“Ne nuk do të lejojmë Rusinë të presë, të ndërtojë forcat e saj dhe pastaj të fillojë një seri të re terrori dhe destabilizimi global. Nuk do të ketë Minsk 3, të cilin Rusia do ta shkelë menjëherë pas marrëveshjes”, ka thënë Zelensky.
Plani 10-pikësh i Zelenskyt për paqen përfshin këto pika: Siguria nga rrezatimi dhe armët bërthamore; Siguria e ushqimit; Siguria energjetike; Lirimi i të burgosurve dhe të internuarve; Zbatimi i Kartës së OKB-së; Tërheqja e trupave ruse dhe ndërprerja e armiqësive; Drejtësia; Ekocidi (shkatërrimi i mjedisit natyror) dhe mbrojtja e mjedisit; Parandalimi i përshkallëzimit, si dhe Konfirmimi i përfundimit të luftës.
Më herët është raportuar se presidenti Zelensky u tha liderëve botërorë në samitin e G20 Bali se lufta e Rusisë duhet të përfundojë tani.
Ai u lut gjithashtu për një zgjatje të një marrëveshjeje të rëndësishme të eksportit të grurit që do të skadonte së shpejti, përcjell Telegrafi.
Zelensky u shfaq në një fjalim video drejtuar udhëheqësve të mbledhur në ishullin indonezian.
Vladimir Putin, udhëheqësi i Rusisë – një anëtar i G20 – refuzoi të marrë pjesë dhe dërgoi ministrin e tij të jashtëm Sergei Lavrov në vend të tij.
Në fjalimin e tij, të raportuar fillimisht nga AFP, Zelensky tha: “Jam i bindur se tani është koha kur lufta shkatërruese ruse duhet dhe mund të ndalet”.
Ai vazhdimisht iu drejtua liderëve si “G19” – duke përjashtuar qartë Rusinë. /Telegrafi/