Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij me video drejtuar kombit, se e ardhmja e rendit botëror varet nga situata në vendin e tij.
Ai iu drejtua qytetarëve ukrainas, pas ardhjes së papritur të presidentit amerikan Joe Biden në Kiev, transmeton Telegrafi.
“Tani për tani, këtu në Ukrainë, po vendoset e ardhmja e rendit botëror, e cila bazohet në rregulla, njerëzim dhe parashikueshmëri. Ne kemi nevojë për vendosmëri. Sot, unë pashë një vendosmëri të tillë tek presidenti Biden”, tha Zelensky.
Ai shtoi se mbrojtja dhe nevojat e tjera për të ndaluar agresionin rus, janë tashmë të njohura për partnerët e Ukrainës.
Kujtojmë se gjatë një vizite të papritur në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, Biden njoftoi se Ukraina do të marrë një paketë të re ndihme në vlerë prej 500 milionë dollarësh.
Zelensky tha se kishte diskutuar me presidentin amerikan për dërgimin e armëve me rreze të gjatë, si dhe për forcimin e mbështetjes së aleatëve perëndimorë për Ukrainën, raporton Reuters.
Biden, në një fjalim të përbashkët me presidentin ukrainas Zelensky, tha se paketa do të përfshijë më shumë pajisje ushtarake, duke përfshirë municion artilerie dhe predha anti-tank Javelin. /Telegrafi/