Telegrafi

Zelensky pas suksesit në Kursk ushtron ‘presion’ mbi SHBA-të

Volodymyr Zelensky i inkurajuar nga sukseset e ushtrisë ukrainase në rajonin e Kurskut, po rrit presionin ndaj Shteteve të Bashkuara për ta lejuar Kievin të sulmojë objektivat ushtarake thellë brenda territorit rus.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më shumë se 50 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga viti 2022, por nuk po lejojnë që armët e tyre të shfrytëzohen për sulme brenda Rusisë.

Presidenti ukrainas vuri në dukje se bombat ajrore të drejtuara vranë gjashtë persona dhe plagosën 97 në Kharkiv të premten, me sulmet që vazhduan të shtunën. Ai beson se sulme të tilla mund të parandalohen vetëm me “sulme në aeroportet ushtarake ruse, bazat e tyre dhe logjistikën e terrorit rus”.

“Ne flasim për këtë çdo ditë me partnerët tanë. Ne paraqesim argumente. Nëse rusëve ua heqim prej mundësive bombat ajrore, ky do të ishte “një hap i fuqishëm drejt detyrimit të Rusisë që të kërkonte fundin e luftës dhe një paqe të drejtë”.

Duke iu drejtuar Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, Zelensky tha se “ne kemi nevojë për aftësi ushtarake që ta mbrojmë me të vërtetë dhe plotësisht Ukrainën dhe ukrainasit. Ne gjithashtu kemi nevojë për leje për të përdorur armët me rreze të gjatë, si dhe raketat e predhat me rreze të gjatë veprimi”.

Pritet që lideri ukrainas ta bëjë një apel të ngjashëm personalisht muajin e ardhshëm, kur ai planifikon t’i paraqesë një plan fitoreje presidentit amerikan, Joe Biden, afër fundit të mandatit të tij në Zyrën Ovale dhe të marrë pjesë në seancat e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. /Telegrafi/