Telegrafi

Zelensky: Nuk do të ketë bisedime, nëse Rusia mban referendume për ndarjen e Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë mbrëmë se bisedimet me Rusinë do të jenë të pamundura nëse mbahen referendume në rajonet e okupuara të Ukrainës.

Forcat ruse dhe aleatët e tyre separatistë, tani kontrollojnë pjesë të mëdha të territorit të Donbasit në lindje të Ukrainës si dhe në jug të vendit, transmeton Telegrafi.

Autoritetet e atjeshme kanë bërë të ditur se mund të organizohen referendume. E në adresimin e tij të mbrëmshëm, Zelensky tha se Kievi qëndron mbrapa qëndrimeve të saj, dhe se nuk do të heq dorë as edhe nga një pëllëmbë tokë – që rusët shpresojnë se mund t’ju jepet.

“Pozicioni i vendit tonë mbetet ai që ka qenë gjithmonë. Nuk do të heqim dorë nga asgjë që është e jona. Nëse okupatorët fillojnë me mbajtjen e pseudo-referendumeve, do të ndërpresim bisedimet”, shtoi Zelensky.

Lexo po ashtu Njihuni me gruan e cila po përdor faqet e pornografisë dhe lojërave të fatit për t'u treguar rusëve të vërtetën rreth luftës në Ukrainë

Përfaqësuesit ukrainas dhe ata rusë kanë mbajtur një sërë takimesh nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Por deri më tani nuk është arritur ndonjë progres, dhe që nga fundi i pranverës nuk ka pasur farë takime – e për këtë të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën.

Forcat ruse mbajnë nën kontroll pjesën më të madhe të Khersonit në jug të Ukrainës, dhe zyrtarët lokalë separatistë kanë paralajmëruar se mund të mbahen referendume për t’ju bashkuar Rusisë.

Separatistët pro-rusë kanë mbajtur referendume për pavarësinë e Donbasit, duke e shpallur të ashtuquajturën Republika Popullore. /Telegrafi/