Site icon Telegrafi

Zelensky: Nuk kemi armë të rënda për të mposhtur Rusinë në Mariupol

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se forcat e vendit nuk kanë mjaftueshëm armë “serioze dhe të rënda” për të mposhtur ushtrinë ruse në qytetin port të Mariupolit.

Ai përshkroi dy mënyra të mundshme për t’i dhënë fund ngecjes në qytet. “Së pari, ajo përfshin armë serioze dhe të rënda […] në këto momente ne nuk kemi mjaftueshëm këso armë për të çliruar Mariupolin. Rruga e dytë është diplomatike. Deri më tani Rusia nuk është pajtuar me këtë”, pohoi ai, raporton cnn.

“Ne nuk e dimë se kur mund të zhbllokojmë Mariupolin. Dhe këtë e them hapur, se të gjithë djemtë në Mariupol duan fitoren tonë, duan një qytet të lirë, asnjëri prej tyre nuk do t’i dorëzohet armikut. Kjo është ndjenja e tyre e brendshme, kjo është ajo që ata janë”, shtoi i pari i shtetit ukrainas, duke folur së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel në Kiev.

Lexo po ashtu Zelensky: Ukraina do të lirojë të burgosurit rusë në këmbim të kalimit të sigurt të civilëve nga Mariupoli

Mijëra civilë janë larguar me sukses nga Mariupoli përmes korridoreve të rënë dakord me Rusinë, por “për fat të keq disa mijëra civilë shkuan në territoret e pushtuara ruse dhe ne nuk e dimë fatin e këtyre mijëra njerëzve”, shtoi ai.

Ndryshe, Rusia ka vazhduar edhe sot me bombardime duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/

Exit mobile version