Ukraina nuk do të pajtohet me një konflikt të ngrirë me Federatën Ruse, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai gjatë një video bisede me Bordin e Drejtorëve Ekzekutiv të Wall Street Journal tha se Ukraina nuk u tërhoq nga procesi i Minskut, ndryshe nga Rusia, e cila e bëri këtë pasi Vladimir Putin njoftoi pushtimin e plotë.
“Ne nuk do të hyjmë në një konflikt të ngrirë. Unë u bëra president kur ekzistonin marrëveshjet Minsk-1 dhe Minsk-2. Ka pasur dokumente përkatëse që janë shkelur, që do të thotë se ato dokumente nuk ishin serioze. Megjithatë, ka pasur një marrëveshje në letër. Ishte konflikt i ngrirë. Unë jam kundër. Ne sigurisht që nuk do të kemi një dokument të tillë”, theksoi Zelensky.
Ai shtoi se nuk besonte në marrëveshjet me Federatën Ruse derisa Vladimir Putin nuk i konfirmoi zyrtarisht ato, raporton Ukrinform.
“Grupet tona komunikojnë në nivelin e negociatorëve. Sinqerisht mund të them se nuk besoj në marrëveshje të tilla”, tha Zelensky, duke shtuar se derisa presidenti i Federatës Ruse të vendosë nënshkrimin ose të paktën të thotë diçka zyrtarisht, ai nuk sheh ndonjë peshë në marrëveshje të tilla.
Bisedimet e fundit drejtpërdrejt ndërmjet delegacioneve ukrainase dhe ruse ishin më 29 mars në Stamboll. /Telegrafi/