Telegrafi

Zelensky: Nëse ideja e Trumpit për të ndaluar luftën është të heqim dorë nga territori ynë, atëherë është primitive

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një intervistë të dhënë për Bild më 9 prill, se është skeptik lidhur me planin e supozuar të paqes të ish-presidentit amerikan Donald Trump, për dhënien e një pjese të territoreve të okupuara ukrainase Rusisë, shkruan Kyiv Independent.

Washington Post shkroi më 7 prill, duke cituar burime anonime, se Trump ka thënë privatisht se mund t’i jepte fund luftës së Rusisë duke i bërë presion Ukrainës që t’ia jepte Krimenë dhe Donbasin, Moskës, transmeton Telegrafi.

Sipas Washington Post, Trump tha gjithashtu se beson se Moska ashtu edhe Kievi “duan të shpëtojnë fytyrën, duan një rrugëdalje”, duke pretenduar se ukrainasit në territoret e pushtuara nga Rusia nuk do të kundërshtonin të jenë pjesë e Rusisë.

Këshilltari i Trump, Jason Miller, më vonë i mohoi këto pretendime në një koment për New York Post, duke e quajtur artikullin “lajm të rremë” dhe duke thënë se “Trump është i vetmi që flet për ndalimin e vrasjes”.

“Nëse marrëveshja dhe ideja është thjesht të japim territoret tona, atëherë është shumë primitive”, tha Zelensky.

Presidenti i Ukrainës theksoi gjithashtu se do të ishte i lumtur të dëgjonte qasjen e Trump për t’i dhënë fund luftës shpejt, nëse ish-presidenti i SHBA-së “në të vërtetë do ta kishte”.

“Por ne kemi nevojë për argumente të forta. Ne nuk kemi nevojë për një ide fantastike, por një të vërtetë. Ka të bëjë me jetë njerëzore; ne nuk mund të bëjmë shaka dhe nuk mund të rrezikojmë”, shtoi presidenti ukrainas.

Zelensky kujtoi gjithashtu se Kievi e kishte ftuar Trumpin në Ukrainë, publikisht dhe jo publikisht, për të parë situatën në vend me sytë e tij.

Trump nuk e pranoi ftesën, por Zelensky shprehu shpresën se ish-presidenti i SHBA-së mund të vizitojë Ukrainën “së shpejti”.

“Jam patjetër i gatshëm ta takoj atë”, tha Zelensky. /Telegrafi/