Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po i drejtohet Forumit Ekonomik Botëror nga Kievi për momentin, duke insistuar sërish se do të mbizotërojë Ukraina.
Ai tha se edhe pse vendi i tij nuk e filloi luftën, “ne do ta përfundojmë atë”.
Ukraina po qëndron “fuqishëm” dhe “vendosur”, tha i pari i shtetit ukrainas, duke bërë sërish presion që bota të vazhdojë të furnizojë ushtrinë me ndihmë ushtarake.
Zelensky tha se furnizimet e sistemeve të mbrojtjes ajrore duhet të tejkalojnë sulmet ruse, raporton skynews.
Lideri ukrainas përsëri këmbënguli se Moska duhet “të respektojë integritetin territorial të Ukrainës”.
I pyetur nëse shqetësohet për sigurinë e tij, ai thjesht tha se nuk është, “Nuk jam i shqetësuar për këtë”.
Presidenti ukrainas vazhdoi duke thënë se “nuk ka aksidente në kohë lufte” kur u pyet për rrëzimin e helikopterit në rajonin e Kievit. /Telegrafi/