Site icon Telegrafi

Zelensky: Kundërofensiva po shkon më ngadalë se ç’duhet, nuk është një film hollivudian

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pranuar se përparimi në fushëbetejë është “më i ngadalshëm se sa dëshirohej”, më shumë se dy javë pas fillimit të kundërofensivës së Ukrainës për të rimarrë territoret e pushtuara.

“Disa njerëz besojnë se ky është një film hollivudian dhe presin rezultate tani. Nuk është kështu. Ajo që është në rrezik janë jetët e njerëzve”, tha ai për BBC.

Forcat ukrainase pretendojnë se si pjesë e kundërofensivës ata deri më tani kanë marrë nën kontroll tetë fshatra në Zaporizhzhia në jug dhe Donetsk në lindje të vendit, transmeton Telegrafi.

Zelensky beson se kundërofensiva nuk po shkon lehtë, sepse forcat ruse kanë minuar 200,000 kilometra katrorë të territorit ukrainas.

Lexo po ashtu Ish-presidenti ukrainas: Në kundërofensivë kemi dërguar vetëm 30 për qind të trupave tona

“Çfarëdo që të duan disa, duke përfshirë përpjekjet për të na bërë presion, me gjithë respektin e duhur, ne do të avancojmë në fushëbetejë siç e shohim të arsyeshme”, tha ai.

Ai përsëriti se ka nevojë që Ukraina të marrë garanci sigurie nga NATO, duke shtuar se qëllimi përfundimtar është anëtarësimi në NATO.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e bëri të qartë këtë javë se nuk ka plane për t’i dhënë një ftesë Ukrainës në samitin e NATO-s të muajit të ardhshëm.

“(Jens) Stoltenberg e di pozicionin tim. I kemi thënë shumë herë: Mos na e prishni tokën nën këmbë”, theksoi presidenti ukrainas. /Telegrafi/

Exit mobile version