Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se kundërofensiva e Ukrainës po “ecën përpara” ku Kievi bëri disa avancime drejt synimit për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.
“Forcat ukrainase po ecin përpara. Pavarësisht gjithçkaje dhe pa marrë parasysh se çfarë thotë dikush, ne po avancojmë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne jemi në lëvizje”, tha Zelensky në X, transmeton Telegrafi.
Mbetet e paqartë nëse Zelensky iu referua një zyrtari apo komenti specifik, por si duket po përpiqet të ndryshojë narrativën se kundërofensiva verore e Ukrainës ka dhënë deri më sot rezultate më të dobëta se sa pritej.
Pas shumë pritjesh, kundërofensiva e Ukrainës filloi zyrtarisht në mes të qershorit. Megjithatë, avancimet janë bërë me vështirësi dhe nuk ka pasur rimarrje të vendbanimeve të mëdha pasi trupat ukrainase ishin ballafaquar me linjat ruse të mbrojtura mirë. /Telegrafi/