Telegrafi

Zelensky konfirmon se trupat ukrainase po luftojnë brenda Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pranuar për herë të parë se ushtria e tij po kryen një ofensivë ndërkufitare brenda rajonit perëndimor të Kurskut të Rusisë, shkruan BBC.

Në fjalimin e tij me video të shtunën vonë, Zelensky tha se ushtria e Ukrainës po e shtynte luftën në “territorin e agresorit”, transmeton Telegrafi.

Kievi filloi sulmin e tij të befasishëm të martën, duke përparuar me shpejtësi më shumë se 10 kilometra brenda Rusisë – aksioni më i thellë që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Në Ukrainë, Kievi dhe disa rajone të tjera u vunë nën një sulm me dron dhe raketa ruse në orët e para të së dielës, thanë zyrtarët lokalë.

Në fjalimin e tij, Zelensky falënderoi “luftëtarët” e Ukrainës dhe tha se kishte diskutuar operacionin në Rusi me komandantin e lartë ushtarak të vendit Oleksandr Syrskyi.

“Ukraina po dëshmon se me të vërtetë mund të rivendosë drejtësinë dhe të sigurojë presionin e nevojshëm ndaj agresorit”, shtoi ai.

Rusia deri më tani ka luftuar për të ndaluar përparimin ukrainas, me më shumë se 76,000 njerëz të evakuuar nga rajoni i Kurskut dhe një regjim “kundër-terror” të vendosur në tre zona kufitare.

Kjo do të thotë se autoritetet në rajonet e Kursk, Belgorod dhe Bryansk mund të kufizojnë lëvizjen e njerëzve dhe automjeteve dhe të përdorin përgjimin e telefonit midis masave të tjera. /Telegrafi/