Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka komentuar ofensivën gati dy javore në rajonin rus të Kursk, duke thënë se trupat e tij po përmbushin objektivat e tyre.
“Ne jemi duke arritur qëllimet tona…”, ka thënë ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kievi dërgoi trupa mbi kufirin më 6 gusht, sulmi më i madh që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.
Dhe deklaratat e Zelenskyt u mbështetën shpejt nga komandanti i lartë i Ukrainës, Oleksandr Syrsky.
“Ne po arrijmë rezultate të reja në rajonin e Kurskut”, tha Syrsky.
Deklaratat e tyre vijnë në ditën kur Gjermania i ka dërguar një paketë tjetër ndihme sigurie Ukrainës, e cila përfshin pajisje të mbrojtjes ajrore, drone dhe automjete ndihmëse.
Paketa përfshin gjithashtu materiale për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, 55.000 kuti të ndihmës së parë, armë të vogla, etj.
Kujtojmë se Gjermania mbetet furnizuesi më i madh i Evropës i asistencës së sigurisë për Ukrainën.
Ndërkohë një zëdhënës i kryeministrit britanik Keir Starmer thotë se mbështetja britanike për Ukrainën mbetet e palëkundur, në një kundërshtim ndaj komenteve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në fundjavë që sugjeronin se mbështetja e Londrës për Kievin po dobësohej.
“Kryeministri mbetet absolutisht i vendosur në mbështetjen e tij për Ukrainën”, tha zëdhënësi. “Për sa i përket mbështetjes sonë, përsëri, ajo është e palëkundur”. /Telegrafi/