Ukraina po kërkon një mundësi për të folur “drejtpërsëdrejti” me udhëheqësin kinez Xi Jinping për të ndihmuar në përfundimin e luftës së saj me Rusinë.
Kështu ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky, raportoi të enjten South China Morning Post, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në një intervistë me SCMP, udhëheqësi ukrainas i kërkoi Kinës të përdorë ndikimin e saj të madh politik dhe ekonomik mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftimeve.
“Është një shtet shumë i fuqishëm. Është një ekonomi e fuqishme … Pra (ajo) mund të ndikojë politikisht dhe ekonomikisht mbi Rusinë. Dhe Kina është [gjithashtu] një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, citohet të ketë thënë Zelensky.
Ndërkohë siç raportojnë mediat botërore, forcat ruse janë të angazhuara në një aktivitet të konsiderueshëm ushtarak, duke gjuajtur nga tanke dhe artileri raketash në disa pjesë të Ukrainës, sipas përditësimit të shtabit të përgjithshëm të Ukrainës të enjten.
Më herët, Ukraina kishte paralajmëruar se Moska mund të përgatiste operacione të reja sulmuese në jug të Ukrainës.
Dmytro Zhyvytsky, guvernator i rajonit Sumy, i cili kufizohet me Rusinë, tha se tre qytete ishin granatuar nga forcat ruse të mërkurën, me gjithsej 55 raketa të lëshuara. Nuk ka të lënduar, por janë dëmtuar banesa dhe objekte tregtare.
Ndërsa kryebashkiaku Yevhen Yevtushenko i Nikopolit, në perëndim të Zaporizhzhia në Ukrainën qendrore, tha në kanalin e tij Telegram se qyteti i tij ishte granatuar gjatë natës. /Telegrafi/