Site icon Telegrafi

Zelensky i kërkon Bidenit të vizitojë Ukrainën: Ai në këtë formë do të dërgonte sinjalin më të fortë të mbështetjes

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i bëri thirrje homologut amerikan, presidentit Joe Biden, që të ndjekë hapat e liderëve të tjerë botërorë dhe të vizitojë Ukrainën në mënyrë që të dërgojë një “sinjal të madh” mbështetjeje për vendin e tij të shkatërruar nga lufta, ndërsa vazhdon të luftojë kundër Rusisë.

Zelensky ia bëri ftesën presidentit të SHBA-së gjatë një interviste ekskluzive televizive në Kiev, ku iu bashkua gruaja e tij, Olena Zelenska, e sapo ardhur nga vizita e saj në Uashington, DC, ku ajo iu drejtua Kongresit dhe kërkoi më shumë armë për të ndihmuar në zmbrapsjen e forcave ruse.

“Unë besoj se ky do të ishte një sinjal i madh, një sinjal i madh. Të gjithë e shohin qëndrimin e Ukrainës ndaj SHBA-së. Kjo do të ishte mbështetja më e lartë”, tha Zelensky, raporton nypost.

Zelensky theksoi se nëse Biden, 79 vjeç, do të vizitonte vendin, do të dërgonte “sinjalin më të fortë që mund të jepet në mbështetje të Ukrainës”.

Presidenti pranoi se vendimi ishte një çështje sigurie, por ai tha se nëse Biden “ka një shans, ai do të vijë”.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Kremlini më 24 shkurt, dhjetëra shtetarë, liderë biznesi dhe figura kulturore kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm drejt Kievit, mes tyre kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. /Telegrafi/

Exit mobile version