Telegrafi

Zelensky: Kemi informacione se Rusia po përgatitet të largojë vëmendjen e botës me krijimin e shumë krizave, do të destabilizojë Ballkanin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi, për të larguar vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

“Sot të gjithë po diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme. Por siç kam thënë, nuk është problem i djeshëm, por as nga pardje. Të gjithë e dinë këtë konflikt të vazhdueshëm, por askush nuk dëshiron t’i japë fund. Konflikti në Lindjen e Mesme, prapa saj qëndron Rusia, jemi të sigurt se këtë po e bën me aleatin e saj – Iranin”, tha Zelensky para gazetarëve afrikanë, transmeton Telegrafi.

Zelensky kërkoi që t’i kushtohet vëmendje Ballkanit, pasi posedon informacione për plane keqdashëse të Rusisë.

“Kushtoni vëmendje Ballkanit. Më besoni, kemi informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme do të jetë Ballkani, e nëse vendet e botës nuk ndërmarrin diçka, do të ketë një shpërthim të tillë. Kjo është arsyeja pse Rusia do të sigurohet se një vend i Ballkanit (të jetë) në luftë me një tjetër”, tha Zelensky.

Sipas tij, Rusia është sërish e interesuar në ridrejtimin e ndihmës.

“Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi. Për të treguar se diçka nuk shkon atje gjatë zgjedhjeve, për t’i shpallur zgjedhjet jokushtetuese. Për të rrëzuar sërish qeverinë aktuale. Për të rrëzuar qeverinë pro-evropiane”, tha Zelensky. /Telegrafi/