Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar në një intervistë për The Sun se u ka mbijetuar së paku gjashtë tentativave për vrasje që kur ka filluar lufta.
“Për sa i përket numrit të tentativave, me të vërtetë nuk e di, ndoshta jo më pak se pesë ose gjashtë herë”, tha Zelensky, transmeton Telegrafi.
“Herën e parë më është dukur interesante, pas kësaj e merrja si diçka normale. Sikurse me Covidin kur nuk e dinim se çfarë të bënim. Pastaj shërbimi i inteligjencës më njoftonte se edhe një grup në Ukrainë ka ardhur për këtë qëllim”, potencoi ai mes tjerash.
“Operacioni i fundit ishte ‘ndryshimi i presidentit’ ndoshta jo duke e vrarë, por duke e ndryshuar”.
Ndryshe, presidenti ukrainas muaj më parë kishte deklarua se ai do të luftonte për vdekje me rrethin e tij të ngushtë të njerëzve, nëse rusët do të kishin sulmuar selinë e tij në Kiev në fillim të pushtimit.
“Di të qëlloj. A mund ta imagjinoni titullin ‘rusët kapën presidentin ukrainas’? Kjo do të ishte e turpshme”, pati thënë Zelensky.
Raportimet për tentim-vrasjen e Zelenskyt kanë qenë të gjera që kur ka filluar konflikti Rusi-Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/