Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në adresimin e tij më të fundit, ka thënë se forcat e tij do t’i detyrojnë rusët të tërhiqen matanë kufirit të Ukrainës.
Në videon e tij më të fundit drejtuar kombit ukrainas, Zelensky bëri të ditur “nëse dikush dëshiron të di për planet e tyre”, transmeton Telegrafi.
“Nuk do të dëgjoni ndonjë detaj nga persona të përgjegjshëm sepse kjo është luftë. Kjo ndodh gjatë çdo lufte. Por okupuesit duhet ta dinë: do t’i zmbrapsim në kufi. Jashtë kufijve tanë, linjë kjo që nuk ka ndryshuar. Pushtuesit e dinë këtë mirë, nëse duan të mbijetojnë, është koha që ushtria ruse të largohet”, shtoi Zelensky.
“Nëse frikësohen të rikthehen në shtëpitë e tyre në Rusi, atëherë, le të dorëzohen okupuesit dhe ne do t’ju garantojmë gjykim sipas normave të Konventës së Gjenevës. Nëse nuk më dëgjojnë, do të ballafaqohen me mbrojtësit tanë që nuk do të ndalen derisa të çlirojnë gjithçka që i përket Ukrainës”, tha ndër tjera presidenti ukrainas.
Ndryshe ushtria ukrainase ka filluar kundërofensivën ndaj ushtrisë ruse në jug të vendit – duke u zotuar se do ta rikthejnë kontrollin mbi këtë rajon – në veçanti në Kherson ku nga fillimi i pushtimit rus, Moska kontrollon atë zonë. /Telegrafi/