Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i bëri thirrje sot Zvicrës që të lejojë vendet e tjera të dërgojnë armët e prodhimit zviceran në Ukrainë, duke thënë se ky është çelësi për luftën kundër pushtimit rus.
“Unë e di se Zvicra po diskuton eksportin e materialit luftarak për sigurinë dhe mbrojtjen e Ukrainës. Kjo do të ishte vendimtare”, tha Zelensky në një fjalim në parlamentin ukrainas përmes video-lidhjes. “Ne kemi nevojë për armë për të rivendosur paqen në Ukrainë”, shtoi ai.
Zvicra ka një politikë të gjatë të ndalimit të rishitjes së armëve zvicerane në vendet në konflikt. Në fund të vitit të kaluar, vendi i Evropës Qendrore vendosi një embargo për shitjen e municioneve në Rusi dhe Ukrainë, raporton swissinfo.
Çështja ka ndezur debat në Zvicër, e cila po përpiqet të mbajë një ekuilibër midis politikës së saj tradicionale të neutralitetit dhe shqetësimit për fqinjësinë e saj evropiane dhe prodhimin vendas të armëve.
Ai e falënderoi shtetin zviceran që i ka vendosur sanksione Rusisë dhe e ftoi atë të organizojë një takim botëror për paqen.
“Është shumë e rëndësishme të tregojmë solidaritet sepse këto sanksione na ndihmojnë t’i japim fund agresionit”, tha presidenti ukrainas, duke theksuar se sanksionet duhet të forcohen. “Unë do të doja t’ju ftoja të mbani një tubim global për paqen. Ju mund të merrni një rol udhëheqës atje dhe të përdorni ekspertizën tuaj kombëtare”, tha Zelensky.
Fjalimi ndezi tensione në parlament pasi Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë gjykoi se fjalimi shkelte neutralitetin e vendit. /Telegrafi/