Site icon Telegrafi

Zelensky: Irani po fiton para të lyera me gjak nga Rusia

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Iranin se po merr “para të lyera me gjak” nga Rusia për dronët kamikazë, që forcat ruse po i përdorin për sulme vdekjeprurëse mbi qytetet ukrainase – përfshirë Kievin.

Përdorimi i dronëve nga rusët në luftë kundër Ukrainës është intensifikuar, kur Moska sipas pretendimet të SHBA-ve dhe Kievit, i siguroi nga Irani.

Bëhet fjalë për dronët Shahed-136, kurse Teherani pavarësisht dëshmive të shumta nuk po e pranon se i ka shitur dronët Rusisë, transmeton Telegrafi.

“Nuk i besoj udhëheqësisë së Iranit. Ata publikisht e mohojnë kur thonë se nuk i kanë shitur dronët Rusisë. Por këtu po shohim qindra sulme me dronë. Në Ukrainë, në Kiev, po shohim sulme mbi infrastrukturën civile, mbi shkolla dhe civilë. Me ta po shkatërrojnë rrjetin tonë energjetike”, tha Zelensky gjatë një interviste dhënë për televizionin CTV.

CNN së fundmi ka raportuar se Irani po dërgon personel ushtarak në Krime, që po e trajnon ushtrinë ruse t’i përdorë këta dronë.

Zëdhënësi i Iranit në Kombet e Bashkuara ka thënë se “Irani mohon kategorikisht pretendimet për këtë çështje”.

Por, Zelensky nuk i beson fare Teheranit, duke theksuar se Irani po i dërgon rusëve dronë – duke i mundësuar atyre të vrasin ukrainas.

“Janë dakorduar për këtë, bëhet fjalë për para. Para të përgjakshme që Irani po i fiton”, shtoi Zelensky. /Telegrafi/

 

Exit mobile version