Site icon Telegrafi

Zelensky ia prezanton planin e triumfit, Biden: Më lejoni të jem i qartë, Rusia nuk do ta fitojë luftën

Joe Biden e ka takuar Volodymyr Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Presidenti amerikan e falënderoi homologun për zbardhjen e “planit të fitores” të Ukrainës kundër Rusisë.

Të dy udhëheqësit diskutuan financimin ushtarak dhe sigurinë afatgjatë të Ukrainës, shkruan theguardian.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën tani dhe në të ardhmen… Më lejoni të jem i qartë. Rusia nuk do ta fitojë luftën”, tha lideri amerikan.

Ndërkohë, Zelensky deklaroi se “është shumë e rëndësishme që të ndajmë të njëjtën vizion për të ardhmen e sigurisë së Ukrainës në BE dhe NATO, dhe Ukraina po bën një numër të paprecedentë reformash në këtë rrugë. Sot kemi një paketë të re mbështetjeje… Kjo do të jetë një ndihmë e madhe”.

“Sot diskutova me presidentin Biden planin e fitores. Po përgatitemi të diskutojmë detajet për të forcuar planin, të koordinojmë qëndrimet tona… Faleminderit për mbështetjen e palëkundur dypartiake dhe të gjithë popullit amerikan. Së bashku, duhet të fitojmë, do të fitojmë”.

Kujtojmë se ky është takimi i 11-të midis dy liderëve dhe vizita e pestë e udhëheqësit ukrainas në Uashington që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022.

Ndryshe, Zelensky pritet ta takojë gjithashtu edhe kandidaten demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, por jo edhe republikanin, Donald Trump, i cili e ka akuzuar liderin ukrainas se nuk është i gatshëm për arritjen e paqes me Rusinë. /Telegrafi/

Exit mobile version