Site icon Telegrafi

Shefit të OKB-së, Zelensky ia anulon vizitën në Ukrainë

Volodymyr Zelensky ia ka ndaluar hyrjen në shtetin ukrainas shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pasi ky i fundit mori pjesë në samitin e BRICS.

Guterress u shfaq në samitin e mbajtur në Rusi, i cili u organizua nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Në samit e zhvilluar në qytetin e Kazanit, Guterres u lut për “paqe të drejtë” në Ukrainë, duke bërë thirrje që t’i jepet fund luftimeve më shumë se dy vjeçare.

Por, pjesëmarrja e 75-vjeçarit në takimin e 20 liderëve globalë, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping dhe kryeministrin indian, Narendra Modi – ngjarja më e madhe diplomatike në Rusi që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 – ndezi zemërim në Kiev.

“Pas Kazanit, (Guterres) donte të vinte në Ukrainë, por presidenti nuk e konfirmoi vizitën e tij. Kështu që Guterres nuk do të jetë këtu, veçanërisht për shkak të poshtërimit të ligjit ndërkombëtar në Kazan”, tha një zyrtar ukrainas.

Gjatë bisedimeve me Putinin në Kazan, Guterres përsëriti se “pushtimi rus i Ukrainës ishte në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar”, sipas një deklarate të OKB-së.

Përpara këtyre bisedimeve dypalëshe, ministria e jashtme e Ukrainës kritikoi vendimin e Guterresit për të vizituar Kazanin dhe vuri në dukje se ai nuk kishte marrë pjesë në një samit të paqes të organizuar nga Ukraina në Zvicër. /Telegrafi/

Exit mobile version