Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ftoi ish-presidentin Donald Trump në Ukrainë për ta parë luftën me Rusinë me sytë e tij.
“Nëse Trump vjen, jam gati të shkoj madje me të në vijën e parë të frontit”, deklaroi Zelensky të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih, transmeton Telegrafi.
Trump kryeson në sondazhe për të qenë kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori në SHBA dhe ka thënë se në vend të ndihmave, Ukraina duhet ulet në tryezën e negociatave me Rusinë.
“Unë mendoj se nëse jemi në dialog se si ta përfundojmë luftën, duhet t’u tregojmë njerëzve që janë vendimmarrës, çfarë do të thotë – luftë e vërtetë, jo në Instagram”, tha Zelensky.
Gjatë paraqitjes së tij në konferencën e Mynihut, Zelensky sërish bëri thirrje për furnizime me predha artilerie dhe raketa me rreze të gjatë. /Telegrafi/