Site icon Telegrafi

Zelensky fton Muskun ta vizitojë Ukrainën – miliarderi më pas ka të drejtë të komentojë, sipas presidentit ukrainas

Volodymyr Zelensky ka ftuar Elon Musk të vizitojë Ukrainën për të parë dëmin e shkaktuar prej rusëve dhe të kuptojë situatën, pasi multimiliarderi sugjeroi një “plan paqeje” për Ukrainën.

Brenda planit, Musk kishte propozuar në mënyrë të diskutueshme që Ukraina t’i dorëzonte territorin Rusisë, raporton skynews.

Në komentet e mprehta drejtuar shefit ekzekutiv të Tesla, Zelensky tha se “Nëse doni të kuptoni se çfarë ka bërë Rusia këtu, ejani në Ukrainë dhe do ta shihni këtë me sytë tuaj. Pas kësaj, ju do të na tregoni si ta mbyllim këtë luftë, kush e filloi dhe kur mund ta mbyllim atë”.

Musk më parë kërcënoi se do të tërheqë fondet për shërbimin e internetit Starlink në Ukrainë, i cili mbetet një mjet shpëtimi për ushtarët dhe civilët.

Ai argumentoi se Starlink po humbiste para, por më vonë u tërhoq nga kërcënimi dhe tha se “thjesht do të vazhdojë të financojë” shërbimin.

Në komente të tjera në samitin DealBook të New York Times, Zelensky tha se nuk besonte se presidenti rus, Vladimir Putin do të përdorte armë bërthamore – pavarësisht frikës nga Perëndimi.

Ai tha se demokracitë perëndimore duhet të jenë më të shqetësuara për ambiciet e liderit rus për të pushtuar demokracitë fqinje nëse ai arrin të pushtojë Ukrainën. /Telegrafi/

Exit mobile version