Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia brenda dy ditëve ka lansuar më shumë se 30 sulme me dronë në Ukrainë.
Ai shtoi se në total, Moska kishte kryer gjithashtu rreth 4,500 sulme me raketa dhe mbi 8,000 sulme ajrore.
Duke folur nga Kievi dhe duke qëndruar pranë atij që dukej të ishte një dron i rrëzuar iranian Shahed, Zelensky u zotua të “kapë krahët” e fuqisë ajrore të Moskës.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se Irani i ka furnizuar Rusisë një numër të madh dronësh, por Moska dhe Teherani e mohojnë këtë, raporton skynews.
Në javët e fundit, sulmet ruse kanë shënjestruar infrastrukturën civile të Ukrainës, duke dëmtuar furnizimin me energji elektrike dhe ujë të vendit, pikërisht kur temperaturat fillojnë të bien.
Vendet perëndimore thonë se Irani po furnizon Moskën me dronë të zhvilluar brenda vendit dhe se ekspertët ushtarakë iranianë janë në terren në Krimenë e pushtuar nga Rusia për të ofruar mbështetje teknike për pilotët.
Kievi ka identifikuar dronët e përdorur në disa sulme në infrastrukturën si drone iranian Shahed-136.
Ukraina thotë se rreth 400 dronë janë përdorur tashmë nga Rusia, nga një porosi totale prej rreth 2000 armësh.
Por Teherani ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka arritur ndonjë marrëveshje armësh me Kremlinin, dhe Moska gjithashtu mohon përdorimin e dronëve iranianë. /Telegrafi/