Një grua ruse është gjobitur me 40 mijë rubla për “diskreditimin e ushtrisë ruse” pasi e quajti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky një “burrë të pashëm”.
Olga Slegina iu shqiptua gjoba, ekuivalente me rreth 450 euro pasi u akuzua dhe u shpall fajtore sipas ligjeve të “censurës së luftës” të prezantuara marsin e kaluar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Seanca gjyqësore, në kryeqytetin rus të Moskës, zgjati vetëm pesë minuta, raporton nypost.
Slegina u dënua pasi deklaroi se Zelensky kishte ‘një sens të mirë humori’, transmeton Telegrafi.
Sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut “Memorial”, ajo ishte takuar në një restorant me një grua nga Odesa, Ukrainë.
Kamarierja Natalya Zakharova iu bashkua bisedës dhe e quajti Zelenskyn si “të shëmtuar” dhe “të çuditshëm”.
Slegina i shpërfilli komentet, duke thënë se “të gjithë qeshnin me shakatë e tij. A nuk bërtasin ukrainasit në republikën tuaj “Lavdi Ukrainës” si ne në Moskë?”
Besohet se zonja Slegina synon të apelojë gjobën e saj. Ajo u përfaqësua nga një avokat i OVD-Info, një projekt mediatik rus për të drejtat e njeriut që synon të luftojë persekutimin politik. /Telegrafi/