Site icon Telegrafi

Zelensky e quan Putinin “të dobët” dhe thotë se pushteti i presidentit rus “po shembet”

Përgjigja e Vladimir Putinit ndaj rebelimit të armatosur të Wagner ishte “e dobët” dhe presidenti rus po humbet kontrollin mbi popullin e tij.

Ky ka qenë vlerësimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për CNN, përcjell Telegrafi.

Putin u përball me kërcënimin më të madh ndaj autoritetit të tij në dy dekada muajin e kaluar kur kreu i grupit paraushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin, nisi një kryengritje jetëshkurtër, duke pretenduar kontrollin e objekteve ushtarake në dy qytete ruse dhe duke marshuar drejt Moskës përpara se të pranonte të tërhiqej.

“Ne e shohim reagimin e Putinit. Është i dobët”, i tha Zelensky, gazetares së CNN në Odesa, në një intervistë të regjistruar të dielën.

“Së pari, ne shohim se ai nuk kontrollon gjithçka. Lëvizja e Wagner-it thellë në Rusi dhe marrja e disa rajoneve tregon se sa e lehtë është të bëhet një gjë e tillë. Putin nuk e kontrollon situatën në rajone”.

“E gjithë ajo vertikale e pushtetit që ai kishte më parë po shembet”.

Lexo po ashtu Si po shkon kundërofensiva? Detaje të reja që tregojnë gjendjen në jug dhe në lindje të Ukrainës

Zelensky tha se raportet e inteligjencës ukrainase treguan se Kremlini po mat mbështetjen për Prigozhin dhe ai pretendoi se gjysma e Rusisë mbështeti shefin Wagner dhe rebelimin e grupit paraushtarak.

Intervista me Zelensky vjen në një kohë kritike – jo vetëm në vazhdën e kryengritjes së dështuar të Prigozhin, por edhe javë pas shtytjes së ngadaltë të Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.

Kjo përpjekje është vënë nën një vëzhgim intensiv nga aleatët perëndimorë dhe të shtunën një zyrtar amerikan i tha CNN-it se kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), Bill Burns, kishte vizituar Kievin së fundmi dhe ishte takuar me Zelensky dhe zyrtarë të inteligjencës ukrainase.

Zelensky i tha CNN se ishte “i befasuar” kur pa takimin e tij me Burns të raportuar në media.

“Komunikimi im me shefin e CIA-s duhet të jetë gjithmonë prapa skenave”, citohet të ketë thënë. “Ne diskutojmë gjëra të rëndësishme – çfarë ka nevojë Ukraina dhe se si Ukraina është e përgatitur të veprojë”.

Burns udhëtoi për në Kiev përpara rebelimit të Prigozhin, i cili nuk ishte një temë diskutimi, kishte thënë një zyrtar amerikan për CNN. /Telegrafi/

Exit mobile version