Site icon Telegrafi

Zelensky i drejtohet Asamblesë Kombëtare të Francës: Nuk po mund t’i varrosim të afërmit në mënyrë adekuate

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u kërkoi ligjvënësve francezë që të mbajnë një minutë heshtje në nderim të atyre që humbën jetën gjatë luftës së Ukrainës me Rusinë, ndërsa iu drejtua Asamblesë Kombëtare të Francës.

Duke folur përmes video-lidhjes nga zyra e tij në Kiev, fjalimi i Zelenskyt erdhi një ditë pasi ai foli me presidentin francez, Emmanuel Macron për kushtet e një armëpushimi të mundshëm me Rusinë.

Më herët sot, Zelensky i kërkoi Japonisë dhe vendeve të tjera aziatike që të rrisin sanksionet ndaj Rusisë pasi lufta hyri në ditën e saj të 28-të, raporton skynews.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Japonisë që të vendosë një embargo kombëtare në tregtinë me Rusinë dhe u kërkoi kompanive japoneze të tërhiqen nga tregu rus.

“U bëj thirrje shteteve aziatike dhe partnerëve tuaj që të bashkojnë përpjekjet e tyre në mënyrë që Rusia të kërkojë paqe dhe të ndalojë cunamin e pushtimit brutal të shtetit tonë”, tha Zelensky në fjalimin e tij.

Udhëheqësi ukrainas vazhdoi duke thënë se që nga shpërthimi i luftës “mijëra njerëz, përfshirë 121 fëmijë” ishin vrarë në Ukrainë.

Ai shtoi se “Njerëzit tanë as nuk mund të varrosin në mënyrë adekuate të afërmit, miqtë dhe fqinjët e tyre të vrarë. Ata duhet të varrosen pikërisht në oborret e ndërtesave të shkatërruara, pranë rrugëve”.

Javën e kaluar, presidenti ukrainas bëri gjithashtu një fjalim virtual në Kongresin Amerikan në Uashington dhe u kërkoi atyre të “kujtojnë” Pearl Harbor dhe sulmet e 11 shtatorit, ndërsa ai bëri thirrje për më shumë mbështetje. /Telegrafi/

Exit mobile version