Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij më të fundit, ka thënë se blera e dronëve kamikaz iranian nga ana e rusëve, është dëshmi se Kremlini ka bankrotuar ushtarakisht dhe politikisht.
“Duhet të kemi parasysh se fakti që Rusia i bën thirrje Iranit për ndihmë, tregon se Kremlini ka bankrotuar ushtarakisht dhe politikisht”, shtoi Zelensky.
Në anën tjetër ai theksoi se një lëvizje e tillë e Vladimir Putinit dhe ushtrisë së tij, nuk do t’i sjellë ndonjë ndihmë strategjike.
“Kjo vetëm sa i tregon botës së Rusia po shkon drejt humbjes, dhe po tenton të fusë edhe dikë tjetër në këtë terror”, tha ndër tjera presidenti ukrainas.
E gjenerali rus i ngarkuar me luftën në Ukrainë, ka pranuar haptazi se ushtria ukrainase ka avancuar në Kherson, dhe se pritet të tensionohet akoma më shumë situata në atë rajon.
Guvernatori pro-rus i Khersonit ka bërë thirrje për evakuimin e banorëve të atjeshëm, duke pranuar se ukrainasit po avancojnë dhe kërkoi ndihmë nga Moska që banorët të strehohen diku në Rusi. /Telegrafi/