Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Papa Françesku, kanë biseduar në telefon sot lidhur me luftën e ashpër që po zhvillohet në Ukrainë. Ai këtë njoftim e bëri para ligjvënësve italianë, ku mbajti një fjalim në Parlamentin italian.
“Sot bisedova me Papa Françeskun dhe më tha disa fjalë shumë të rëndësishme: E kuptoj se dëshironi paqe. E kuptoj se duhet ta mbroni veten, se ushtarët po mbrojnë civilët, ata po mbrojnë vendin e tyre. Të gjithë po e mbrojnë”, tha Zelensky në Parlamentin italian, transmeton Telegrafi.
“Unë iu përgjigja: ‘Populli ynë është bërë ushtri, kur panë të ligën që po e sillte armiku, shkatërrimin dhe gjakderdhjen”, shtoi Zelensky.
Presidenti ukrainas njoftoi se 117 fëmijë janë vrarë nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, duke bërë thirrje botës që të ndalojnë luftën e përgjakshme në vendin e tij. /Telegrafi/