Site icon Telegrafi

Zelensky i bën thirrje liderëve të NATO-s që t’i ofrojnë ndihmë ushtarake “pa kufizime”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje liderëve të NATO-s, që t’i ofrojnë vendit të tij asistencë ushtarake “pa kufizime”.

Këto komente ai i bëri gjatë samitit të NATO-s që po mbahet në Bruksel, ku përmes një video-linku i është drejtuar të pranishmëve – duke u kërkuar aeroplanë luftarakë, tanke, armë kundër anijeve dhe sisteme të avancuara kundërajrore, transmeton Telegrafi.

Zelensky theksoi se përgjatë viteve Rusia ka “akumuluar” sasi të konsiderueshme të resurseve ushtarake – duke “investuar shuma marramendëse në makineri vrastare, derisa bota ka investuar në mirëqenie”.

Lexo po ashtu Britania e Madhe do t’ia dërgojë Ukrainës edhe 6 mijë raketa

“Ukraina kurrë nuk e ka dashur këtë luftë. Dhe nuk dëshiron të luftojë për vite të tëra. Ne thjesht duam të shpëtojmë njerëzit tanë. Duam të mbijetojmë! Thjesht të mbijetojmë! Si çdo komb tjetër – kemi të drejtë ta bëjmë këtë. Të drejtën për jetë”, shtoi presidenti ukrainas.

Ai i kërkoi vendeve anëtare të NATO-s që t’i sigurojnë 1 për qind të ndihmës ushtarake që ata posedojnë.

“Është një kërkesë për hir të ushtrisë tonë. Pas një lufte të tillë kundër Rusisë, kurrë mos na thoni më se ushtria jonë nuk përket me standardet e NATO-s”, tha për fund Zelensky. /Telegrafi/

Exit mobile version